Historiku

Në një moment të rëndësishëm, kur shoqëria shqiptare, për të plotësuar kërkesat e tregut të punës kërkonte specialistë të profesioneve të ndryshme, pikërisht në vitin 2000 u krijua Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie” si një shkollë jo publike dyvjeçare me kohë të plotë, i ideuar, i mbështetur financiarisht dhe nën kujdesin e vazhdueshëm të Fortlumturisë së Tij Prof. Dr. Anastasit.

E veçanta e këtij institucioni qëndron në faktin se është ndër të parat shkolla jopublike profesionale të profilizuara në degët: Specialist për Llogari të Kompjuterizuara (Financë-Kontabilitet), Kuadër Menaxher (Menaxhim Biznesi), Informatikë (Informatikë e Zbatuar) dhe Laborant Mjekësor (Teknikë e Lartë Laboratorësh Mjekësorë), që bëri të mundur përgatitjen dhe afirmimin e më shumë se 1.000 profesionistëve të rinj me njohuri bashkëkohore duke iu përgjigjur në këtë mënyrë kërkesave të tregut dhe duke i sjellë një dobi shoqërisë shqiptare në drejtim të kualifikimit dhe civilizimit të saj.

Krijimi i Institutit të Formimit Profesional “Frymë Dashurie” është mbështetur në Urdhrin e Ministrit nr. 350 datë 16.11.2000 “Për dhënie leje funksionimi të Institucionit Arsimor plotësues Jopublik”. Mbështetur në Urdhrin e Ministrit, Institucioni zhvillonte procesin mësimor në dy vite akademike me kohë të plotë. Çdo vit akademik ishte i organizuar me dy semestra, çdo semestër me 14 javë mësimore dhe çdo javë mësimore përkatësisht me mbi 25 orë mësimore; (Bashkëngjitur Urdhri i Ministrit).

Praktika 10-vjeçare e funksionimit të këtij Instituti, si një vatër e përgatitjes së të rinjve me dije, kulturë dhe aftësi profesionale, ka vërtetuar një ecuri normale të Institutit, si shkollë e licensuar nga Ministria e Arsimit në përputhje me udhëzimet e Komunitetit Evropian, me plane dhe programe mësimore të shkollave simotra në Evropë, me staf të konceptuar sipas kërkesave të kohës, të kualifikuar, të vlerësuar dhe me disiplinë korrekte. Programi mësimor i Institutit dyvjeçar u ka ofruar studentëve në të gjitha degët edhe mësimin e detyrueshëm të dy gjuhëve të huaja, si dhe njohuri të thella të programeve kompjuterike, të konsideruara si kërkesa të kohës. Një peshë të rëndësishme të programit mësimor ka zënë edhe puna praktike, e cila kryhej në laboratorë të mirëpajisura që funksiononin në këtë Institut.

  1. Së pari, ishte kjo përvojë 10-vjeçare në fushën e mësimdhënies së këtij Instituti të Formimit Profesional dyvjeçar, që përgatiti premisat për kalimin në një nivel më të lartë të edukimit profesional, në atë të Kolegji Universitar “Logos” .  
  2. Së dyti, në krijimin e KU ”Logos” një rol të veçantë ka pasur edhe kërkesa  e studentëve që u arsimuan në këtë Institut për të rritur nivelin e mëtejshëm të dijeve të tyre.
  3. Së treti,  vlerësimi i mangët dhe i gabuar i produktit të shkollave profesionale nga tregu i punës, trajtimi financiar diskriminues i specialistëve që përfundonin shkollat profesionale, shërbyen si nxitje e fortë për ndërtimin e  programeve mësimore me diplomë universitare “Bachelor”, të preferuar nga tregu i punës.
  4. Së katërti, KU “LOGOS” u nxit nga dëshira e të gjithë aktorëve të Institutit për të krijuar një Institucion Universitar cilësor që do të ofronte një model edukimi dhe specializimi bashkëkohor, në përgjigje të kërkesave që shtronte koha për arsimin e lartë. Në këto kushte, duke iu referuar oportuniteteve që ofronte Karta e Bolonjës, u përgatit i gjithë dokumentacioni i nevojshëm dhe, mbi bazën e procedurës ligjore të arsimit të lartë, u bë i mundur licensimi dhe më pas akreditimi institucional i Kolegji Universitar ”Logos” dhe i programeve të studimit të ciklit të parë “Bachelor”.
E licensuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 1055 dt. 29.07.2009 dhe e akredituar me Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, nr. 282 / datë 04.07.2012 në përputhje me vendimin nr. 338 / datë 08.06.2012, ajo prezantohet sot si një Institucion i Lartë që garanton një formim bashkëkohor teoriko-praktik të studentëve në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor” dhe ciklit të dytë “Master Profesional” në fushat e ekonomisë dhe teknikës laboratorike mjekësore.
logo KOLEGJI UNIVERSITAR
LOGOS

Rruga "Dritan Hoxha"
Pallatet Komfort (Mbi NBG)
Përballë Pallatit të Sportit "Asllan Rusi"
Tiranë

Telefon: 04 2405355
Fax: 04 2405356